Janë vendosur të gjitha çerekfinalistet e Kupës së Shqipërisë. Partizani, Elbasani dhe Vllaznia, ishin skuadrat e fundit që prenë biletën për më tej.

Vllaznia mposhti minimalisht Besën në “Loro Boriçi” të Shkodrës”. Kuqebluve iu deshën plot 120 minuta lojë për kualifikimin, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim pa gola.

Në minutën e 108-të, Mehdi Çoba shënoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë fitoren Vllaznisë.

Nuk prodhoi fitues koha e rregullt as në sfidën Teuta-Elbasani. Verdheblutë e Ivan Gvozdeniovic, fituan 0-2 në Durrës, pas shtesave. Tsague zhbllokoi rezultatin në minutën e 98-të, ndërsa Lleshi vulosi takimin në 0-2 me një super gol të shënuar në minutën e 112-të.

Partizani triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Apolonisë në stadiumin “Arena e Demave”. Të dy golat u shënuan nga Albers Keko në pjesën e dytë, pasi fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Sulmuesi zhbllokoi sfidën në minutën e 48-të, ndërsa në të 66-ën dyfishoi shifrat, për të siguruar kualifikimin për në çerekfinalen e Kupës.

Më herët arritën kualifikimin edhe Egnatia, Skënderbeu, Dinamo, Bylis dhe Laçi. Skuadrat tani presin shortin e FSHF-së, për të mësuar kundërshtarët e tyre në çerekfinale. /tvklan.al