Maqedonia vlerëson maksimaliste propozimet e fundit të palës greke lidhur me çështjen e emrit, mirëpo edhe më tej mbetet pjesë e procesit negociator që zhvillohet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara. Kjo është konkluza e takimit urgjent të kreut të Maqedonisë të mbajtur të hënën në mbrëmje.

Antonio Milososki: “Republika e Maqedonisë edhe më tej do të jetë e kyçur në këtë dialog bilateral i cili mbahet në mbikëqyrjen e kombeve të Bashkuara. Mirëpo presim që edhe fqinji ynë jugor t’i përmbahet normave nga marrëveshja e përkohshme e nënshkruar në vitin 1995 dhe mandatet që ka ndërmjetësuesi Mathew Nimits.”

Greqia  në propozimin e saj të fundit kërkon që Maqedonia të pajtohet që në të ardhmen emir i saj të jetë Maqedonia e Veriut ose Maqedonia e Re. 

Greqia  po ashtu kërkon të ndryshojë edhe emir i kombit maqedonas në veriun maqedonas ose maqedonas të ri.

Sipas të njëjtit parim do të ndryshonte edhe emri i gjuhës, por edhe të gjitha emërtimet e tjera.

Përmbushja e këtyre kërkesave parashikohej si kusht që Maqedonia të fitojë datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian më 7 Dhjetor.

Në mediat e këtushme u paraqitën informacione se pas propozimit të fundit të palës greke Maqedonia mund të vendosë të tërhiqet nga negociatat.

Opozita maqedonase kërkon nga pushteti që të insistojë në takime të drejtpërdrejta me palën greke.

Nga Shkupi për TV Klan Isen Saliu./tvklan.al