Kryetarja e Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka është shprehur se vlerëson strategjinë e re të prezantuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) për çështjet e pramambetura në gjykata.

Bushka ndër të tjera tha se të gjithë gjyqtarët po punojnë në kushte të vështira, por i inkurajoi ato që ta shohin punën e tyre si një mision në shërbim të qytetarëve.

Klotilda Bushka:Unë dhe zonja Çupi e vlerësojmë strategjinë që ju keni përgatitur, vlerësojmë grupin e punës që ka punuar në lidhje me trajtimin e të gjitha çështjeve. Për të gjithë gjyqtarët e dimë që puna e tyre në këto kushte nuk është e lehtë, por është një sfidë, por të gjithë duhet ta shohim se ky është një mision, një mision në shërbim të qytetarëve. Sot strategjia kombëtare e uljes së numrit të çështjeve të prapambetura do të kërkojë ndryshime ligjore. Analizat e kryera kanë arritur në konkluzionet që ne do t’i dëgjojmë sot nga grupi i punës që ne e marrim shumë seriozisht në punën tonë kur në Kuvend të jemi para ndryshimeve ligjore, por duke qenë se gjyqtarët janë një grup me aftësi shumë të larta jo vetëm në zbatimin e ligjit, por edhe në gjetjen e mundësive që në kuadër të parimit të funksionalitetit të zgjidhen e shqetësimet e nevojave të qytetarëve pa pritur ndryshimet ligjore. Unë do t’ju lutesha që të përdorni gjithë aftësitë që keni për të krijuar mundësinë e aplikimit më së shumti të mjeteve për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve.

Bushka u ndal edhe tek unifikimi i çështjeve të natyrave të njejta.

Klotilda Bushka:Nga ana tjetër ju punoni sot dhe sistemi është duke u rinuar edhe në moshë, por edhe në aftësi të reja. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për faktin që praktika gjyqësore është e konsoliduar sa i takon zgjidhjeve të çështjeve të natyrave të ndryshme, por jo të gjithë mund të hyjnë në thelb të atyre standarteve të unifikuara që gjatë viteve kanë ndihmuar që çështje të natyrave të njejta të zgjidhen njësoj. Nëse sot viheni para rasteve kur në gjykatat që punoni ka çështje të ngjashme që zgjidhen ndryshe do të duhet që të kërkoni që të ushtrohen të gjitha parashikimet ligjore për unifikimin e tyre sepse kjo është shumë e rëndësishme edhe për të garantuar parimin e sigurisë juridike për shtetasit, por edhe për të lehtësuar punën e gjykatave. Këto janë disa sugjerime që doja t’i ndaja me ju, por mendoj që grupi i punës mund të ketë shumë e më shumë sugjerime dhe objektiva dhe rezultate të pritshme. Dua të shpreh të gjithë mbështetjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, që gjithçka që ju do të paraqisni si ndryshim ligjor në lidhje me adresimin e nevojës për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata do të gjeni mbështetjen tonë.

/tvklan.al