Autoritetet në ishullin Mayotte janë në garë me kohën për t’u ofruar të mbijetuarve ushqim dhe ujë pas ciklonit Chido, i cili shkaktoi dëme të jashtëzakonshme. Frika për sëmundje të ndryshme, por edhe për plaçkitjet është rritur.
Në zona ende të paksesueshme nga autoritetet, mund të duhen ditë për të vlerësuar shkallën e plotë të dëmit dhe për të regjistruar të gjithë viktimat. Punonjësit e ekipeve të emergjencave janë në kërkim të të mbijetuarve mes rrënojave të banesave që u shkatërruan nga erërat me shpejtësi 200 km/h .
Ministria e Brendshme e Francës njoftoi se një shtetrrethim do të hyjë në fuqi të martën mbrëma nga ora 22:00 deri në orën 04:00 të mëngjesit me kohën lokale.
Chido ishte stuhia më e fortë që goditi Mayotte në më shumë se 90 vjet. Shifrat zyrtare te raportuara deri tani flasin për të paktën 22 viktima dhe mbi 1 mijë të plagosur, të dhëna që janë shumë larg bilancit që mund të ketë shkaktuar kjo tragjedi. Viktima të tjera raportohen në Mozambik dhe në Malavi.
Presidenti Emmanuel Macron tha pas një takimi urgjent të kabinetit se do të vizitojë Mayotte në ditët në vijim. Mayotte është rajoni më i varfër i gjithë territoreve franceze dhe është një destinacion kryesor për emigracionin e paligjshëm.
Klan News