Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti në ishullin francez Mayotte, i cili përballet me shkatërrimin e ciklonit Chido. Pasi zbarkoi në Mayotte i bëri të ditur autoriteteve se nëpërmjet avionit ushtarak kishte sjellë në ishull katër ton ushqime dhe pajisje mjekësore.

Ai zhvilloi një takim disa minutësh me zyrtarët përpara se të bënte një turne me helikopter në zonat e prekura nga cikloni.

Numri i saktë i viktimave ende nuk dihet. Spitalet kanë konfirmuar 31 vdekje, por autoritetet dyshojnë se ka njerëz të tjerë që mund të kenë humbur jetën në disa zona që janë të paarritshme.

Gjithashtu një anije që transportonte 50 tonë ndihma ushqimore u ankorua në portin e Mayotte. Në ishull është vendosur shtetrrethimi dhe zyrtarët kanë shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Punonjësit shëndetësorë janë të shqetësuar se sëmundjet infektive mund të përhapen, pasi banorët kanë raportuar mungesë të ujit të pijshëm. Gjysma e territorit ende është pa energji elektrike. Mayotte është një nga pjesët më të varfra të Francës, me shumë nga banorët e saj që jetojnë në baraka. Chido ishte stuhia më e keqe që ka goditur arkipelagun në 90 vjet.

Klan News