Afro një mijë njerëz mund të kenë humbur jetën pasi cikloni Chido goditi ishullin francez Mayotte sipas autoriteteve. Shumë shtëpi, shkolla dhe objekte shëndetësore janë shkatërruar, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit.
Autoritetet franceze dërguan avionë transporti ushtarak me punonjës urgjence dhe ndihma për banorët vendas.
Cikloni Chido goditi ishullin që ndodhet pranë brigjeve veriore të Mozambikut me një shpejtësi prej 225 kilometrash në orë. Erërat e fuqishme shkatërruan pjesën më të madhe të shtëpive në lindje të arkipelagut.
Ministria e Brendshme e Francës tha se 1600 oficerë policie janë vendosur ne terren së bashku me zjarrfikësit nga Mayotte dhe ishulli francez Reunion. Senatorja franceze Salama Ramia ka bërë të ditur se shumë njerëz rrezikojnë të vdesin nga uria. Aktualisht autoritetet po punojnë për identifikimin dhe riparimin e dëmeve në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në ishull.
Presidenti francez Emmaniel Macron tha se ishulli u përball me orë të tmerrshme, teksa shprehu edhe ngushëllimet për familjet e viktimave. Mayotte, i vendosur rreth 500 milje larg bregut lindor të Afrikës dhe ka një popullsi prej 300,000 banoresh të shpërndarë në dy ishuj kryesor, ndërsa mbetet ndër rajonet më të varfra.
Ishujt janë përballuar me thatësirën, mungesën e investimeve ndërsa tani i gjithë vendi është futur në krize pas ciklonit Chido, i cili sipas ekspertëve tregon shkallën e intensifikimit të ngrohjes globale.
Klan News