Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 200 të tjerë janë plagosur si pasojë e motit të keq që ka përfshirë ishujt Mayotte, një territor francez në Oqeanin Indian në veri të Madagaskarit.
Cikloni Chido solli erëra mbi 220 km/orë duke dëmtuar çatitë e shtëpive në arqipelagun i cili ka një popullsi prej më shumë se 300,000 banorësh. Lidhjet e energjisë elektrike, ujit dhe internetit janë të gjitha të ndërprera.
Në një postim në X, ministri i Forcave të Armatosura të Francës Sébastien Lecornu tha se një avion me ndihma është nisur në ishujt që ndodhen pothuajse 8,000 km nga Parisi, ndërsa rreth 250 punonjës të ekipeve të emergjencave do të dërgohen në ishuj.
Kryeministri i ri francez François Bayrou ka zhvilluar një takim urgjent në Paris me ministrat e tij për të marrë masat e duhura.
Edhe Presidenti Emmanuel Macron tha se po monitoronte nga afër situatën dhe premtoi se qeveria e tij do të ofronte ndihmë për të prekurit.
Klan News