Dy të vdekur, një i zhdukur, mijëra të bllokuar
Dy te vdekur dhe një i zhdukur është bilanci i stuhisë “Ianos” që goditi pjesën perëndimore të Greqisë të premten. Viktima e parë u regjistrua në fshatin Vasili në Farsala dhe ishte një grua, kurse një fermer është gjetur i pajetë pasi humbi gjurmët në Karditsa.
Një tjetër grua ndërkohë rezulton e zhdukur po në Karditsa, e cila sipas mediave greke injoroi rekomandimet e autoriteteve duke vijuar udhëtimin me automjetin e saj.
Erërat e forta dhe shirat kanë shkaktuar përmbytje masive, duke lënë të bllokuar mijëra njerëz. Demet materiale janë të mëdha, me banesa dhe mijëra hektarë të mbjella të shkatërruara.
“Ianos” shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në ishujt Kefalonia, Zakynthos dhe Ithaca, duke shkaktuar në disa raste edhe zjarr.
Giorgos Bougos, pronar i një taverne në fshatin Kyllini thotë se në 37 vitet e tij nuk kishte parë një situatë të tillë në fshatin Kyllini.
“Kjo është hera e parë që përjetoj këtë makth. Nuk kam fjetur gjithë natën, është një situatë e tmerrshme. Kanë kaluar 24 ore dhe era nuk ndalet”, tha ai.
Autoritetet thanë se intensiteti dhe rrjedha e ciklonit nuk mund të parashikohen me saktësi, ndërsa pritet të godasë me të njëjtën fuqi Jugun e Gadishullit të Peloponezit, në Greqinë Qendrore dhe Kretën perëndimore.
Tv Klan