Kërkoni të blini apartament? Çmimet nuk po ulen pavarësisht se një numër i madh ndërtimesh të përfunduara kanë mbetur pa u shitur. Vlera e këtyre banesave përllogaritet 150 milion euro, të cilat në kushtet kur klientët hezitojnë të blejnë mbeten të ngrira. Megjithatë ndërtuesit thonë se nuk do t’i ulin çmimet.

Ilir Hebovija: “Këto apartamente të cilat aktualisht janë në gjendjen që nuk shiten, mund të them në 70 deri në 80% e këtyre ndodhen në zonën Tiranë-Durrës, janë ndërtuar në një periudhë në vitin 2006, 2007, 2008. Kur çmimet e lëndëve të para kanë qenë të larta, kompanitë e ndërtimit do shesin, do ulin çmimet do të thotë që do të shiten nën kosto. Do të kemi prapë të njëjtën situatë gjysëm falimentimi”.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për herë të parë pas gati 5 vjetësh, 2008 shënoi frenimin e rritjes dyshifrore të çmimeve të apartamenteve. Kjo falë rritjes së ofertës nga dhënia e më shumë lejeve për ndërtim.

Fjoraldi Zguro: “Këtu gjendemi në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ku ndodhet vetëm një pjesë e vogël e 4000 apartamenteve ende të pa shitura sipas shoqatës së ndërtuesve. Ndërtuesit thonë se nuk janë të gatshëm të ulin çmimet e apartamenteve vetëm në rastet kur ka nevojë për likuiditet”.

Agron Zala: “Çmimin e apartamenteve, natyrisht e kemi me një detyrim të pa shmangshëm kur kemi detyrime ndaj të tretëve për të ulur çmimin e apartamenteve sepse po të ulemi më shumë pastaj i bie që të punojmë nën kosto”.

Agjencitë imobiliare konfirmojnë se çmimet e apartamenteve kanë muaj që nuk ndryshojnë. Megjithatë po të kemi parasysh dobësimin e monedhës vendase ndaj euros me të cilat kuotohen përgjithësisht pronat, banesat kushtojnë tashmë më shumë në lekë.

Gjin Biba: “Nuk na rezulton që të ketë një ulje të çmimit te pronat e pa tundshme në Shqipëri. Përkundrazi çmimet janë ose stabël ose kanë një rritje të lehtë të çmimeve. Në qoftë se do ta shohim edhe nën efektin e rritjes së euros e cila është monedha në të cilën pra çmimet e apartamenteve përllogariten, ne do të themi që ka një rritje të lehtë të çmimeve të cilat të paktën është rreth 8 deri në 10% saç ka qenë dhe rritja e vlerës së euros në krahasim me lekun”.

Edhe pse për momentin qytetarët po ngurojnë të blejnë, sipas agjencive mobiliare kërkesa për apartamente mbetet e lartë, madje këtu ndikon edhe interesi i të huajve për prona në vendin tonë, duke bërë që çmimet të vijojnë trendin rritës dhe në të ardhmen./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Operator: Klodian Keçi

Montazh: Renis Zela