Situata e turbullt në ekonomitë dhe financat globale po jep ndikim edhe në tregun vendas të banesave. Agjencitë imobiliare thonë se aktualisht oferta është më e lartë sesa kërkesa, por megjithatë nuk po vihet re ndonjë ulje e çmimeve të apartamenteve.
Dritan Caka: “Oferta relativisht është më e madhe sesa kërkesa në këto momente që flasim. Vetëm se ka një lloj hezitimi nga ana e blerësve për të kryer operacionet e blerjes. Qytetarët presin si do të shkoj tregu. Në këtë situatë ka objekte të pa shitura kryesisht pallate të periferive, çmimi në këto zona besoj që do të ndryshoj”.
Një tjetër faktor që frenon blerjen e shtëpive është dhe kredi dhënia e bankave. Në kushtet kur emigrantët po sjellin gjithmonë e më pak para në vend, e vetmja shpresë mbetet financimi nga bankat tregtare. Sipas agjencive imobiliare, problematika me kolateralin për një numër të madh ndërtimesh ka frenuar kredinë për qytetarët.
Banka tregtare në vend thonë se kanë likuiditet të mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën për kredi dhe se hezitimi qëndron tek vetë qytetarët.
Robert Wright: “Fondet janë aty, edhe oferta për pasuri të pa luajtshme është e madhe, pra në një farë mënyre është momenti i mirë për të blerë. Por kjo varet nga dëshira e qytetarëve për të blerë apo jo dhe parandjenja për të ardhmen. Kriteret e riskut për rastin e huadhënieve për blerje banesash nuk kanë ndryshuar. Ndërsa normat e interesit për shkak të pasigurisë kanë njohur një rritje të vogël”.
Shoqata e ndërtuesve shprehet e shqetësuar për situatën në tregun e banesave. Sipas tyre mungesa e likuiditetit ul aftësinë për ndërtime të reja.
Ilir Hebovija: “Banesat nuk mund të shiten sepse dhe po ranë çmimet, për shkak të krizës njerëzit nuk do kenë mundësinë t’i blejnë dmth tregu është i bllokuar dhe po dhanë leje, prap mungesa e likuiditeteve nuk do ta bëjnë këtë treg aktiv dmth, se ky treg funksion mbi bazën e kërkesë ofertës. Në qoftë se do të bijn të dyja detyrim është kriza”.
Në këtë situatë ekspertët parashikojnë frenimin e rritjes së çmimit të banesave të cilat vetëm në kryeqytet janë rritur në mënyrë progresive vitet e fundit./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro
Operator: Enver Shehu
Montazh: Ergis Hasanbelli