Shoqata e ndërtuesve e cilëson arritje mjaft pozitive risitë e sjella nga drafti për planifikimin e territorit. Pika më kryesorë në këtë projekt ligj është futja e konceptit të miratimit në heshtje. Tashmë kompanitë ndërtuese nuk do të jenë pre e burokracisë së zyrtarëve vendorë, të cilët zvarrisnin me muaj të tërë dhënien e lejeve për ndërtim.
Sipas draftit ligjor të përgatitur nga ministria e Punëve Publike së bashku me grupet e interesit, nëse një kompani interesi e cila ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe nuk merr brenda 45 ditëve një përgjigje, atëherë automatikisht i është pranuar kërkesa. Për Shoqatën e ndërtuesve një eksperiencë e tillë, e cila praktikohet tashmë në shumë vende të Bashkimit Evropian është kërkuar prej kohësh.
Ilir Hebovija: “Parimi i pranimit të heshtur është kërkuar me forcë nga ne për të ulur abuzimet me tejzgjatjen e pafundme të procedurave për të dhënë leje ndërtimi. Kjo është një arritje shumë e madhe për ne duke pasur parasysh praktikat e viteve të kaluara ku lejet kalonin afatin jo 45 ditë po 3 mujore dhe 1 vjeçare nuk shqyrtoheshin, as nuk ktheheshin as nuk shqyrtoheshin. Kjo nuk është një eksperiencë shqiptare, nuk është që e fusim ne për herë të parë, është një parim i njohur dhe në disa vende të BE-së.”
Projektligji për planifikimin e territorit që pritet të kalojë së shpejti dhe në qeveri do të godasë monopolet e krijuara në sektorin e industrisë së ndërtimit. Këto monopole jo pak herë kanë sjellë deformimin e tregut të pronave të patundshme, pasi mungesa e lejeve të ndërtimit ka rritur artificialisht çmimet e banesave./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro