Lëkundjet sizmike të ditëve të fundit kanë risjelle në vëmendje të qytetarëve qëndrueshmërinë e ndërtesave në të cilat ata banojnë. Ndërtuesit thonë se pallatet e reja të ngritura nga kompani serioze ndërtimi janë të sigurta pasi respektojnë standardet teknike që kërkon ligji, ndërkohë që hedhin dyshime për ndërtimet infromale të kryera gjatë kësaj periudhe.

Iliri Hebovija: “Dua të them që ndërtime që bëhen nga kompani serioze, janë në përputhje me gjithë legjislacionin në Shqipëri edhe në përputhje me gjithë rregullat për ndërtimet në zona të caktuara sizmike. Pjesa informale është problematike në përgjithësi është problematike sepse ndërtohet në shumicën e rasteve ndërtohet jashtë kushteve teknike”.

Në të gjithë vendin janë rreth 400 mijë ndërtime në proces legalizimi, por sa të sigurta janë ato? Drejtori i ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës, Agim Berisha, thotë se përpara se të lëshohet leja e legalizimit në dosjen përkatëse duhet të jenë dokumenta që sqarojnë përgjegjësit për qëndrueshmërinë teknike të konstruksionit. Për ndërtesat deri 3 kate përgjegjësin e mban vetë qytetari ndërkohë që për ato mbi 4 kate duhet oponenca teknike nga inxhinieret e certifikuar.

Agimi Berisha: “Janë dy deklarata që qytetari firmos, deklaratë që pranon planin rregullues dhe një deklaratë që mban përgjegjësi për objektin për qëndrueshmërinë e veprës. Pra këto që hyjnë 2 deri në 3 kate që janë të karakterit vila janë të gjitha me projekte të rregullta. Kemi shtuar që objektet 4 kate më lartë, qytetari do të sjellë vet projektin nga inxhinier i licencuar, duhet të sjellë akt ekspertizën nga inxhinier i licencuar dhe akt kolaudimi nga inxhinier i licencuar. Dhe të 3 bashkë këta përpara noterit nënshkruajnë një deklaratë noteriale që mbajnë përgjegjësi për objektin”.

Kreu i ALUIZNI-t për Tiranën thekson se edhe për shtesat e pallateve qytetaret nuk mund të pajisen me lejen e legalizimit pa sjellë më parë oponencën teknike të kryer nga inxhinierë të certifikuar si edhe kolaudimin./tvklan.al

Gazetari Fjorald Zguro