Fjorald Zguro: “Shpejtësia vazhdon të ngelet gangrenë për rrugët shqiptare. Këtu gjendem në autostradën Tiranë-Durrës, e përgjakur nga një numër aksidentesh ditët e fundit. Megjithatë forcat e policisë rrugore janë shtuar në këtë segment, por shpejtësia tej normave të lejuara  ende nuk është vënë fre. Siç dhe e tregojnë këto pamje”.

Ky është vetëm një rast ku me gjithë ndërhyrjen e policisë rrugore rregullat e qarkullimit nuk respektohen.

I jemi rikthyer autostradës Tiranë-Durrës pasi vetëm gjatë dy ditëve të fundit këtu janë shënuar aksidente ku kanë humbur jetën 7 shtetas dhe plagosur 9 të tjerë.

Drejtues rajonale të policisë rrugore thonë se po marrin masa për disiplinimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.

“Komisariati i policisë së Durrësit ka marrë që dje një aksion me duke ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore që mbulon komisariati i Durrësit, për parandalimin e aksidenteve, kontrollin për p[ije alkoolike, për rripa sigurimi dhe dokumentacione”.

Në të dy krahët e autostradës gjenden patrulla të lëvizshme të kontrollit të shpejtësisë me radar. Policët rrugore pohojnë se janë të shumta rastet e pezullimit të patentave dhe të gjobave si pasojë e shpejtësisë marramendëse të drejtuesve të automjeteve.

Për t’u theksuar është fakti se pjesa më madhe e patentave të bllokuara janë të huaja, pra të emigranteve shqiptare apo e shtetasve kosovare.

Shpejtësia e lejuar në këtë superstrade është 90 kilometra në ore, në rast të tejkalimit të kësaj shpejtësie me 20 kilometra më tepër në orë, merren masa pezullimi të patentës./tvklan.al Gazetari: Fjorald Zguro