Nga 1 janari i vitit 2025, çmimi i energjisë elektrike do të ulet për të gjithë qytetarët. Deklaratën e bëri vetë zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë inspektimit të sistemit të ri CALL CENTER, që do u përgjigjet ankesave të qytetarëve lidhur me energjinë elektrike.
“Prej kohësh po punohet me OSHEE dhe KESH për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike nga 1 janari 2025. Jemi në analizë e sipër dhe duke optimizuar proceset teknike do të kemi mundësi që nga 1 janari t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë të energjisë elektrike”.
Aktualisht çmimi i energjisë është 9.5 lekë për kilovat pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë.
Ulje të çmimit te energjise pati paralajmëruar edhe kryemnistri Edi Rama gjatë takimeve me pensionistët, por vetëm për këtë shtresë sociale.
Zëvendëskryeministrja, Balluku gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për rritjen e çmimit të energjisë për furrat e bukës, duke shtuar se kjo kategori biznesi subvencionohet nga qeveria shqiptare.
Tv Klan