Mbyllet kopshti numër 9 në Vlorë, kuzhinierja doli pozitive
Kopshti numër 9 në Vlorë ka mbyllur dyer për 14 ditë. Shkak është bërë infektimi me koronavirus i kuzhinieres së kopshtit. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka vendosur të pezullojë aktivitetin e këtij kopshti menjëherë pas konfirmimit të kuzhinieres. Sipas hetimit epidemiologjik, kuzhinierja është infektuar nga bashkëshorti i saj, i cili një ditë më parë ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.
Ndërkohë edhe një edukatore në çerdhen numër 11 në zonën e Laprakës në kryeqytet rezulton të jetë infektuar me koronavirus.
Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë së Tiranës, në datën 12 Qershor është konstatuar se edukatorja ka patur temperaturë dhe nuk është lejuar të futet në mjediset e çerdhes, por është karantinuar në shtëpinë e saj. Menjëherë pas raportimit të rastit, asaj i është bërë tamponi, duke rezultuar pozitive për Covid-19.
Pavarësisht kësaj çerdhja ka vijuar aktivitetin normalisht. Sipas të njëjtave burime, pritet që Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor të dalë me një vendim për masat që duhen marrë.
Në fillim të kësaj jave, Inspektorati Shëndetësor Shtetëror vendosi mbylljen e çerdhes numër 16 në zonën e ish-bllokut, pasi një edukatore rezultoi e prekur nga koronavirusi.
Tv Klan