Milani triumfoi me përmbysje ndaj Como-s me rezultatin 2-1, por ky sukses nuk ishte pa pasoja për kuqezinjtë.
Trajneri Conceicao u detyrua të bëjë tre zëvendësime të detyruara, për shkak dëmtimi. Sulmuesit Alvaro Morata e Christian Pulisic dhe mbrojtësi Malick Thiaw, lanë fushën para kohe pas shqetësimeve të shfaqura.
Të tre futbollistët iu nënshtruan testeve mjekësore, të cilat zbuluan edhe gjendjen e tyre.
Morata dhe Pulisic, kanë vetëm lodhje muskulore, diçka që nuk shqetëson dhe do të jenë gati për të zbritur në fushë shumë shpejt.
Megjithatë spanjolli nuk do të luajë në sfidën e radhës ndaj Juventusit, për shkak të pezullimit prej kartonëve.
Ndaj bardhezinjve nuk do të jetë as Thiaw. Testet kanë konfirmuar një dëmtim muskulor të gjermanit, i cili do i nënshtrohet testeve të tjera javën e ardhshme.
Për sfidën ndaj Juventusit, në mbrojtje pritet të luajë Gabbia, ndërsa në sulm Abraham do të marrë vendin e Moratës. Jimenez mund të luajë në të majtë të sulmit, nëse Pulisic nuk rikuperohet plotësisht.
Sfida Juventus-Milan e planifikuar për tu luajtur më 18 Janar në Torino, merr rëndësi të veçantë, për shkak të rivalitetit mes dy ekipeve. Bardhezinjtë synojnë të ruajnë distancën me kuqezinjtë, por kërkohet edhe një hakmarrje, për humbjen e pak ditëve më parë në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë. /tvklan.al