Kryediplomati i BE-se Josep Borrell ka deklaruar se çdo ndërprerje ne infrastrukture do të pasojë nga një përgjigje e fuqishme
Danimarka ka deklaruar se veprimet e qëllimshme shkaktuan rrjedhje të mëdha në dy tubacione të gazit natyror që kalonin nën Detin Baltik nga Rusia në Gjermani. Sizmologët kanë bërë të ditur se shpërthimet e fuqishme i paraprinë rrjedhjeve.
“Është vlerësim i qartë i autoriteteve se këto janë veprime të qëllimshme jo aksidente,” ka bërë të ditur kryeministrja daneze Mette Frederiksen. Por ajo shtoi se nuk ka asnjë informacion që tregon se kush mund të qëndrojë pas tij. Frederiksen hodhi poshtë faktin se incidenti ishte një sulm ndaj Danimarkës, duke thënë se rrjedhjet ndodhën në ujërat ndërkombëtare.
Çdo ndërprerje e qëllimshme në infrastrukturën energjetike të BE-së do të haste një “përgjigje të fuqishme dhe të bashkuar”, ka bërë të ditur kryediplomati i Bashkimit Europian Josep Borrell. Bashkimi Evropian beson se sabotimi ndoshta shkaktoi rrjedhjet në tubacionet Nord Stream me synim bllokimin e infrastrukturës energjetike.
Por nuk është e qartë se kush mund të qëndrojë pas një lojë tillë, pasi për ndërtimin e tubacioneve Rrjedha Veriore 1 dhe 2 Rusia dhe partnerët europianë shpenzuan miliarda dollarë. Rusia, e cila uli dërgesat e gazit në Evropë pasi Perëndimi vendosi sanksione për pushtimin e Ukrainës ka thënë gjithashtu se sabotimi ishte një mundësi dhe se rrjedhjet minuan sigurinë energjetike të kontinentit.
Asnjë nga tubacionet nuk pomponte gaz në kohën kur u zbuluan rrjedhjet, por incidenti shuan shpresat që Evropa të mund të merrte karburant përmes Nord Stream 1 përpara dimrit. Norvegjia ka deklaruar se do të forcojë sigurinë në instalimet e saj të naftës dhe gazit pas rrjedhjeve dhe raporteve për aktivitetet e dronëve në Detin e Veriut dhe autoritetet daneze kërkuan që të rritet niveli i gatishmërisë në sektorin e saj të energjisë dhe gazit.
Gazsjellësi i ri Nord Stream 2 nuk ka hyrë ende në operacione tregtare. Plani për ta përdorur atë për furnizimin me gaz u anulua nga Gjermania disa ditë përpara se Rusia të niste agresionin në Ukrainë. Çmimet evropiane të gazit u rritën me 11%pas rrjedhjeve. Ato mbeten më shumë se 200% më të larta se në fillim të shtatorit 2021.
Klan News