Autoritetet suedeze kanë ngritur një hetim për sabotimin e një kabllo nënujore me fibra optike që lidh Letoninë dhe ishullin suedez të Gotland dhe ka ndaluar një anije me flamur Malta Vezhen.
Dyshohet se sabotimi i kabllove të rëndësishme për energjinë dhe telekomunikacionin në Detin Baltik është shkaktuar nga spiranca e tërhequr në tabanin e detit për kilometra të tëra nga një anije.
Sipas mediave të huaja, anija u nis nga porti rus i Ust-Luga disa ditë më parë dhe po lundronte midis Gotland dhe Letonisë në momentin që besohet se ka ndodhur incidenti. Kryeministrja letoneze Evika Siliņa shkroi në rrjetet e saj sociale se qeveria e saj po punonte së bashku me aleatët suedezë dhe NATO-n për hetimin e incidentit, duke përfshirë patrullimin e zonës.
Incidenti i së dielës pason një sërë incidentesh që kanë rritur frikën e sabotimit dhe spiunazhit rus në rajonin strategjik. NATO ka rritur kohët e fundit vigjilencën në Detin Baltik, duke nisur një mision të ri që përfshin anije patrullimi dhe avionë për të mbrojtur infrastrukturën nënujore.
Ky incident i fundit ka nxitur spekulimet se Rusia mund të jetë duke orkestruar taktika hibride të luftës kundër Perëndimit në mes të tensioneve të vazhdueshme për agresionin e saj në Ukrainë.
Klan News