Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se shkëputja e shteteve baltike, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë nga rrjeti i energjisë energjetike i Rusisë është një “fitore për lirinë”.

Të tre shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s pritet që në fundjavë, të ndërpresin lidhjet e energjisë elektrike me Moskën, në një lëvizje politike tri dekada pasi këto vende u çliruan nga sundimi i Kremlinit.

“Rusia nuk mund ta përdorë më energjinë si një mjet shantazhi. Kjo është një fitore për lirinë dhe unitetin evropian”, tha Kaja Kallas.

Shtetet e Baltikut për vite me radhë kanë kërkuar që të shkëputen nga rrjeti elektrik i Rusisë dhe të integrohen në rrjetin evropian, por janë përballur me probleme teknologjike dhe financiare.

Ky hap u mor pasi Rusia nisi agresionin më 2022, gjë që nxiti frikë në mesin e këtyre shteteve se ata mund të ishin shënjestra e radhës. Të shtunën pritet të ketë festime zyrtare për këtë ngjarje edhe pse konsumatorët janë të shqetësuar se mund të ketë ndërprerje të furnizimit.

Letonia do të ndërpresë fizikisht linjën elektrike me Rusinë në fundjavë dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrë pjesë në një ceremoni me udhëheqësit e Baltikut që do të mbahet në Lituani po atë ditë.

Klan News