Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Problemi i pronave duket si më i vështiri për t’u zgjidhur nga qeveria. Ky është edhe një nga detyrimet që kryetari i Bashkimit Europian Romano Prodi, vendosi në vizitën e djeshme, por që sipas Partisë Demokratike të Rinovuar, problemi i pronave kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike dhe sidomos atyre opozitare.

Dashamir Shehi:- “Nga kjo pikëpamje, qeveria nuk është se ka gënjyer, se i ka thënë që kemi bërë një ligj, ka gënjyer duke pretenduar, se po e zgjidh problemin, se realisht me këtë ligj nuk zgjidh dot asgjë. Shqipëria ka kaq shumë probleme, sa unë mendojë që procesi nuk do të jetë i lehtë. Jemi shumë të lumtur që është bërë një hap i parë dhe i madh, por nga këtu deri në mbylljen e negociatave, nga mbyllja e negociatave deri në integrimin e plotë, me këtë lloj qeverie unë kam frikë që rruga do të jetë e gjatë dhe e vështirë”.

Përsa i përket incidentit të përgjimit, në takimin Berisha-Prodi, Shehi përgjigjet.

Dashamir Shehi:- “në qoftë se është përgjuar realisht, unë besoj se edhe kjo është një pjesë e një skandali politik, nuk ka nevojë, aq më tepër që sot nuk është se ka më tema sekrete, që të jenë problem për t’u përgjuar. Kështu që nga kjo pikëpamje, tregon mungesë korrektësie të shtetit, nëse është e vërtetë”.

Sipas zotit Shehi, opozita duhet të jetë ajo që të bëjë presione mbi ekzekutivin, për të bllokuar fenomenet e krimit dhe të korrupsionit. Kryetari i PDR, ka kërkuar luftë të ashpër ndaj fenomeneve të tilla, por duke mos degjeneruar në sherre të tilla si ai i djeshmi në Parlament./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti