Duket se Gazment Bardhi, në cilësinë e kreut të grupit parlamentar të PD-së, do të mungojë në takimin e thirrur nga presidenti Bajram Begaj për t’u konsultuar në lidhje me datën e zgjedhjeve parlamentare. Ai e konsideron këtë proces një farsë, pasi sipas Bardhit, data për zgjedhjet është caktuar nga dyshja Edi Rama-Taulant Balla dhe kreu i shtetit pritet vetëm të nënshkruajë dhe vulosë vullnetin e partisë.

“Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet. Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet”, shkruan Bardhi në një deklaratë.

Sipas tij, Presidenti i ka patur shanset që të vepronte si figurë unifikuese.

“Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria”, shkruan Bardhi.

Prandaj fakti që presidenti po sillet si palë politike, për Bardhin, meriton injorim pasi çdo takim me të është humbje kohe.

“Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe”, tha Bardhi.

Begaj ka nisur konsultimet me partitë për datën e zgjedhjeve. Ai është takuar me partitë e vogla të cilat kanë propozuar datën 4 Maj. Ndërkohë të hënën në zyrën e tij janë thirrur PS-ja dhe PD-ja. Pas kësaj, Begaj do të dekretojë datën e zgjedhjeve./tvklan.al