Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në rrjetet sociale pasi ditën e sotme nisi konsultimet për datën e zgjedhjeve. Kjo ditë, sipas tij duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë sipas tij, pasi kësaj legjislature po i afrohet fundit dhe po afron koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit.

“Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar. Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit. Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme”, shprehet Begaj.

Caktimi i datës së zgjedhjeve është vetëm hapi i parë i një procesi të drejtë elektoral sipas kreut të shtetit. Ai thekson se do ta vendosë këtë duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve. Ndër të tjera kreu i shtetit thotë se shpreson që edhe palët politike të thirrura në konsultë ta mirëpresin me seriozitet dhe respekt datën që do të caktojë ai.

“Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë. Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre”, tha Begaj.

Sot ishin në ambientet e presidencës katër përfaqësues të partive të vogla që i prezantuan kreu të shtetit 4 Majin 2025 si datën e zgjedhjeve. Nesër tek ai do të shkojnë përfaqësues të PL-së ndërsa të hënën e 25 Nëntorit përfaqësues të PD-së dhe PS-së. Pas propozimeve të tyre do të jetë Begaj që do të vendosë dhe dekretojë datën./tvklan.al