Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka përfunduar takimin me 4 përfaqësuesit e partive të vogla politike. Mësohet se këta të fundit i kanë propozuar Kreut të Shtetit 4 Majin 2025, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Në ambientet e Presidencës ishin kryetari i LZHK Dashamir Shehi, kreu i PAA Agron Duka, kreu i PR Fatmir Mediu dhe kryetari i PBDNJ Vangjel Dule.
“Ne propozuam datën 4 Maj. Kushtetuta përcakton periudhën 15 Prill-15 Maj. Më arsyeshme për ne është Maji, por duke qenë se përflitet që më datë 9 Maj ka një aktivitet të madh me pjesëmarrjen e kryeministrave të Europës, kjo mund të ndikojë në zgjedhje dhe mendojmë që data 11 është e papërshtatshme. Besoj se do takojë dhe të tjerët Presidenti, por në fund ata që do vendosin dihet se kush janë“, tha Duka në prononcim për mediat.
Argumenti sipas Dukës, qëndron te fakti se nuk mund të mbyllet fushata zgjedhore pas zhvillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
“Mendoj që mund të ndikojë në zgjedhje konsiderueshëm sepse i bie të mbyllë fushatën me datë 9, të mbledhë ata të Europës, të flasë ashtu siç di ai dhe kjo nuk është normale sipas mendimit tim.”
Pas këtyre takimeve, Begaj do të konsultohet të enjten me përfaqësues të Partisë së Lirisë. Për dy forcat më të mëdha politike është parashikuar që t’i zhvillojë konsultimet ditën e Hënë, më 25 Nëntor.
Me përfundimin e konsultimeve Presidenti do të vendosë një datë konkrete dhe do të shpallë dekretimin e saj.
/tvklan.al