Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Cameron është pritur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Ministri Hasani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur kënaqësinë për vizitën e Sekretarit Cameron në vendin tonë

“Kënaqësi e madhe për të mirëpritur Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit Davi Cameron për në Tiranë. Ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësore, në dritën e kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane, duke përfshirë maksimizimin e mbështetjes për Ukrainën dhe adresimin e sfidave ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor“, shkruan Hasani në X.

Ndërkohë rreth orës 12:00 është parashikuar pritja dhe takimi me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama në kryeministri, ku më pas do të zhvillojnë së bashku edhe një konferencë për mediat. Në këtë vizitë 1 ditore, Sekretari Britanik do të takojë edhe kreun e shtetit Bajram Begaj, në orën 14:30.

/tvklan.al