Lajme Arkiva 2003

Makbule Çeço: Nuk jua hap mikrofonin! Uluni zoti Berisha dhe mos mbani peng një seancë të tërë, zoti Berisha mos mbani peng seancën ju lutem! Nuk e hap mikrofonin! Ju lutem zotërinj deputetëtë kemi filluar seancën. Zoti Dajçi tani kemi filluar seancën! Zonja Topalli mos merrni përsipër të prishni seancën.

Jozefina Topalli: Marr përsipër rregulloren zonjë sepse e shkatërrove këtë parlament!

Parlamenti ka nisur me sherre në të nuk është përfshirë vetëm lideri demokrat Berisha i cili ka debatuar me nënkryetaren Makbule Çeço, por edhe një pjesë tjetër e deputetëve janë fyer me njëri-tjetrin. Në tre orë parlament seanca është ndërprerë disa herë. Kreu i opozitës ka kërkuar që seanca të nisë me diskutime lidhur me bllokimin e punës në komisionin hetimor ndaj veprimtarisë së Edi Ramës, por nënkryetarja Çeço e ka ndërprerë me pretendimin se çështja nuk përfshihej në rendin e ditës.

Sali Berisha: Në parlament nuk është vetëm salla e parlamentit, në parlament janë edhe komisionet, të cilat trafikantët e drogës me në kryen Edi Ramën, prej disa ditësh po i bllokojnë, po dhunojnë funksionimin e institucioneve kushtetuese të ngritura mbi bazën e kushtetutës dhe mos mendoni ju se ne do të pranojmë të komandohemi nga baronët e drogës. Në rast se komandon Edvini me baronët e drogës, parlamentin, ne të jeni të sigurt që jemi vendosur në këtë sallë kaq sa jemi të mbrojmë me çdo çmim dhe me çdo kusht Kushtetutën.

Pas minutave pushim seanca është dashur të vazhdohet aty ku u la nga deputetët demokrat pasi shqetësim për ta është bllokimi i komisionit, më pas është ndërprerë fjala e kryekomisionerit Olldashi, i cili ka fyer nënkryetarin e komisionit hetimor Agasi.

Sokol Olldashi: Për një burrë me thinja si ju është turp të bëheni palaço. Mos u bëni palaço se nuk ju shkon.

Makbule Çeço: Me shprehje të kësaj natyre do të na detyroni të pezullojmë seancën.

Bardhyl Agasi: Kultura dhe edukata ime nuk ma lejon që të bie në pozitat e zotit Olldashi, i cili tregon mungesë respekti qoftë për thinjat, qoftë për moshën, qoftë për edukatën, qoftë edhe për një kundërshtar politik. Nuk kam ndërmend të fyej zoti Olldashi.

Seanca ashtu siç nisi nuk u arrit të qetësohej. Drejtuesja e seancës parlamentare Makbule Çeço ka kërkuar të hidhet në votim vazhdimi i kësaj seance, por grupi parlamentar i Partisë Demokratike është tërhequr. Kështu nuk është mbledhur kurrë numri i duhur për të vazhduar seanca. Ajo është mbyllur për t’u rihapur ditën e hënë ./tvklan.al