Demokratët iu rikthyen debateve në parlament duke u tërhequr nga incidentet që shoqëruan seancat e kaluara. I vetmi i pabindur ishte Dashnor Sula që u shfaq i veshur si i burgosur dhe me pranga në duar. Madje Sula hodhi disa fletushka në vendet ku ulen ministrat.
Në qendër të diskutimeve ishte vendimi i Gjykatës Administrative për shfuqizimin e përjashtimit nga Kuvendi të 24 deputetëve të opozitës.
Ata i kanë kërkuar kryeparlamentares Spiropali që të japë dorëheqjen e akuzuar se me urdhër të Ramës shkeli ligjin dhe Kushtetutën me përjashtimin e opozitarëve deri në 60 ditë nga punimet e Kuvendit.
Ndërkohë, ministri Balla tha se vendimi i Gjykatës Administrative nuk e cilësoi të paligjshëm përjashtimin e deputetëve, por vetëm lehtësoi masën ndaj tyre. Noka tha se opozita sot në Kuvend është për betejën e mbrojtjes së buxhetit për qytetarët dhe jo për diskutime me mazhorancën.
Sipas tij mosbindja civile do të vazhdojë. Brenda sallës së seancës plenare u pa edhe këtë herë prezenca e trupave të Gardës së Republikës. Ky akt u kundërshtua dhe nga Gazment Bardhi.
Klan News