Pas më shumë se tetë orë diskutimesh parlamenti ka shtyrë në orët e para të ditës së sotme votimin e  ligjit për hapjen e dosjeve ndaj ish-funksionarëve të lartë të shtetit të implikuar në strukturat e shërbimit informativ gjatë periudhës së komunizmit.

 Mungesa e konsensusit nga ana e socialistëve, të cilët braktisën sallën që në fillim të seancës plenare, si dhe propozimi i disa amendamenteve shtesë e ka detyruar mazhorancën e djathtë që të shtyjë diskutimin e projektligjit në pritje të propozimeve nga të gjitha palët.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi draftin e hartuar mbi bazën e modelit çek, iu kundërpërgjigj njëkohësisht edhe akuzave të kryesocialistit Rama, sipas të cilit me këtë ligj synohet të goditen institucionet e pavarura.

Sali Berisha: “Keni shtruar tezën se ky ligj ka të bëjë me goditjen e Shtyllës apo të ndonjë shtyllari tjetër. Ka të bëjë me dosjet që janë nën hetim. Tani ore zotërinj, ju jeni jashtëzakonisht fatkëqij. Juve ju mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare. Është i biri i një anëtari të komitetit qendror që të gjithë përkushtimin e tij maksimal total e kishte të lustronte Enver Hoxhën nëpër buste, nëpër statuja. Po, po dhe e merrte aty si zagar, si kone e merrte për të lustruar bustet. Kjo është mendja e tij. Se dini ju, e di unë. Të dalë ta mohojë po të dojë. Së dyti, është nipi i Kolekës. Ai ishte një intelektual kriminel që i çoi në litar me…me dhjetëra e dhjetëra inxhinierë të tjerë vetëm e vetëm se ishin shumë herë më të aftë se sa ai. Ky tani ju thotë ju Berisha e ka për dosjen, për shtyllën dhe shtyllarët, por jo. Mos u bëni naivë. Po shtylla dhe shtyllarët janë, dinë vetëm një gjë. Jo të bëjnë hetime, por të prishin hetimet. Ato ju morën në qafë ju, jo mua”.

E palëkundur në qëndrimin e saj opozita deklaroi votën kundër këtij projektligji që për kryetaren e grupit kuvendor, Valentina Leskaj, bëhet në prag të zgjedhjeve pasi sipas saj kryeministri Berisha ka problem me drejtësinë. Për Leskajn ky ligj perveçse synon të godasë prokurorinë, prek njëkohësisht dhe 20 norma të kushtetutës.

Valentina Leskaj: “Doni të godisni prokurorinë për të mbyllur super skandalet korruptive si ajo e rrugës Rrëshen-Kalimash, skandalin Fazlliç, skandali i Gërdecit, ai i Remzi Hoxhës dhe një sërë skandalesh të tjera. Projekti juaj është antikushtetues. Ai bie ndesh me ligjet organike në fuqi të institucioneve të drejtësisë. E nxirrni para zgjedhjeve, sidomos kur ndjeni nevojën për të trembur ata që brenda jush kanë kurajën të pipëtijnë.”

Sali Berisha: “Unë pranoj pa kushte, pranoj pa kushte të bëj të gjitha amendamentet që ju thoni se ne paskemi ndryshuar ligjin. Jo zonjë, ligji nuk është ndryshuar nga ato pikat që thua ti, është ndryshuar me datën dhe ca gjëra të tjera. Më thoni se e bëni para zgjedhjeve a mos kanë tre vjet. A jeni ju zonjë me deputetë, jo ju personalisht, po deputetët tuaj që më kanë treguar me gisht ministrat e mi agjentë të sigurimit të shtetit. Çfarë keni tani që po hapim dosjet?”

Në diskutimin për hapjen e dosjeve, kryetarja e kuvendit ftoi deputetët të votonin për një identitet të ri kombëtar pa prokurorë dhe hetues të nomenklaturës komuniste.

Jozefina Topalli: “Ka ardhur koha që të ndërtojmë një identitet kombëtar mbi themele dhe institucione të pastra dhe të forta, pa hetues që i shërbejnë politikës së re aq sa i kanë shërbyer regjimit fondamentalist pa prokurorë që urdhërohen nga kryetari i ri si dje nga daja i tij, pa gjykatës, që bëjnë politikën sot siç kanë bërë gjyqet politike dje. Natyrisht jam e para që jam kundra hakmarrjes”.

Ndërkaq pjesë e diskutimeve ishin dhe propozimet që erdhën nga radhët e deputetëve të djathtë si ai i deputetit Lesi për përfshirjen në verifikime të njerëzve të medias në atë kohë.

Ndër amendamentet që u propozuan ishte dhe ai i deputetit demokrat, Dash Sula, që parashikon verifikimin edhe për anëtarët e komitetit të dëbimeve dhe internimeve të fëmijëve apo deputeteve të asaj kohe.

Sula kërkoi gjithashtu dhe verifikimin për ish-ministrat, ish-kandidatët e komitetit qendror dhe ish- anëtarët e presidiumit të KQ-së partisë së punës.

Në seancën plenare që zgjati deri në orët e para të ditës së sotme kuvendi me 94 vota, përfshi këtu dhe ato të socialistëve, vendosi që të ringrijë komisionin e reformës elektorale pas kthimit në kuvend të kodit zgjedhor nga ana e presidentit./tvklan.al