Vetëm 11 minuta ka zgjatur mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Shkak u bënë përplasjet mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe këshilltarit demokrat Dorian Teliti, i cili ia ndërpreu fjalën në momentin kur donte t’i shprehte ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që humbi jetën në shkollën “Fan Noli”.

Pas këtyre përplasjeve, u kalua menjëherë për votimin e projekt-akteve. Teksa opozita bojkotoi mbledhjen.

Ndër vendimet e miratura vetëm me kartonat e socialistëve ishte edhe ai që i mundëson pensionistëve që nga 1 Janari të udhëtojnë falas në transportin urban në Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ky vendim është një premtim i mbajtur nga socialistët.

Në Tiranë, edhe studentët udhëtojnë me abone falas prej më shumë se një viti. Abonimet do të financohen plotësisht nga Bashkia e Tiranës dhe do të jenë të disponueshme për studentët e regjistruar në institucione arsimore dhe për pensionistët mbi 60 vjeç për gratë dhe mbi 65 vjeç për burrat.

Numri i pensionistëve brenda territorit të Bashkisë së Tiranës është rreth 178 mijë.

Tv Klan