Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka vazhduar sërish me debate komisioni hetimor parlamentar mbi aktivitetin financiar të Bashkisë së Tiranës. Për rreth një orë, deputetët demokratë dhe socialistë kanë debatuar mbi procedurat e veprimit. Vetëm më pas kryetari i komisionit Sokol Olldashi ka prezantuar tre dosjet e opozitës, që sipas tij shkeljet financiare janë në shuma të mëdha.

Në tre dosjet e paraqitura, ajo për trotuaret e mesit në rrugën e “Kavajës” dhe bulevardin “Zogu i Parë”, dosja mbi financimin e shoqatës Kulturë dhe Artë me presidente Zana Çela dhe dosja mbi tenderin e blerjes se autoveturave nga Bashkia e Tiranës, sipas zotit Olldashi tregojnë se vlera rale e punimeve nuk përputhet me vlerën e shpenzuar dhe ka shkelje ligjore. Por pas këtij prezantimi, deputetët Braçe dhe Legisi kanë reaguar ashpër.

Erion Braçe:- “Urdhëroni, këto janë llogaritjet që prezantoi zoti Olldashi këtu. Këto janë të gjitha llogaritjet që bëri ky njeri, janë të gjitha çmimet që iu tregoi ky njeri, mbi bazën e të cilave doli 67% e vjedhjes, urdhëroni merrni listën, ne s’na duhen, gjeni ndonjë vulë të ndonjë institucioni që përmendi zotëria”.

Sokol Olldashi:- “INSTAT-i publikon çdo tre mujor indeksin e çmimeve, përfshirë indeksin e kostos në ndërtim, të detajuar në pjesët përbërëse të saj. Ndërsa institucioni shtetëror, që bën azhurnim permanent të çmimeve është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, për shkak të specifikave që kanë rrugët urbane, të cilat kanë edhe trotuare edhe kanalizime, ne kemi marrë listën e çmimeve edhe nga Ministria e Rregullimit të Territorit, e cila prokuron rrugë urbane”.

Gjatë shqyrtimit teknik të dosjeve të paraqitura nga opozita, komisionerët socialistë kanë kërkuar, që situacionet të verifikohen në terren, e më pas të jepen konkluzionet në emër të komisionit të hetimit. Më pas deputeti Legisi ka mbrojtur Dosjet e paraqitura me shkelje nga opozita një ditë më parë./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja