Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Debati për angazhimin e policisë gjatë zgjedhjeve do të spostohet në parlament. Deputetë të opozitës kanë kërkuar në komisionin e rendit, sqarimet e duhura nga ministri Luan Rama. Ndërsa në komisionin e ligjeve akti-normativ i qeverisë është argumentuar nga drejtori i policisë Bajram Ibraj.

Bajram Ibraj:- “Policia kriminale, nuk merr pjesë në sigurimin dhe ruajtjen e qendrave të votimit, por nëse unë do ta përjashtojë që këtu, që nga drejtori i policisë kriminale deri tek punonjësi më i thjeshtë, ata do t’i mbyllim brenda komisariateve dhe nuk do t’i angazhojmë, atëherë kujt i shërben kjo? Policia kriminale do të jetë jo vetëm për zgjedhje, por do të jetë edhe për shumë çështje të tjera. Kjo s’ka kuptim, kjo bie ndesh me ligjin për policinë e shtetit”.

Ndërkohë komisioni i Rendit dhe SHISH është përfshirë nga debate më të forta me dyer të mbyllura. Deputeti demokrat Shaban Memia, ka akuzuar mazhorancën, se po bën gati të përdor forcat policore gjatë zgjedhjeve. Ndërsa socialisti Ndre Legisi këmbënguljen e opozitës e konsideron si tendencë për të lënë të pasigurta qendrat e votimit.

Shaban Memia:- “Thelbi i ndryshimeve ka qenë që në këto zgjedhje policia të mos ketë mundësi të fusë duart në qendrat e votimit dhe me ndryshimet që ka sjellë qeveria në parlament, kërkohet që të krijohet hapësirë që të përdoren strukturat e policisë në procesin zgjedhor dhe tek qendrat e votimit”.

Ndre Legisi:- “Të gjitha forcat policore të parashikuara ose të kërkuara nga opozita që të mos angazhoheshin në procesin zgjedhor, me këtë akt-normativ janë përjashtuar nga ky proces, natyrisht ato do të kryejnë detyrat e tyre funksionale ligjore. Çdo përpjekje e opozitës për të mos e miratuar këtë ka të bëjë me lënien e qendrave të votimit pa ruajtje policore”.

Seanca e të enjtes do të ketë një debat të ashpër në lidhje me pjesëmarrjen e policisë në zgjedhje, ndërkohë që ka mbetur pak më shumë se dy javë nga dita e votimit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj