Meta: Jo instrumentalizimit të PS nga krimi i organizuar

Zv/Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, se po ndjek linjën e një politike destruktive, duke ofruar zgjidhje primitive, sikundër e cilësoi Meta ultimatumin 10-ditor. Meta tha, se në gjithë këtë situatë qeveria është treguar e qartë dhe konstruktive, e gatshme në çdo rast për dialog në institucione.

Ilir Meta: “Demokracia është dialog, dialogu zhvillohet në institucione. Mua më vjen keq për këtë kurs destruktiv, që po ndjek kreu i PS z.Rama. Duket sikur ai dëshiron me patjetër të realizojë një kërkesë të tij të hershme që në vitin ‘91, shkruar dhe në librin “Refleksionet”, për të nxjerrë jashtë ligjit Partinë Socialiste. Shpresoj që ky anoncimi i këtij ultimatumi për fillim të dhjetorit të jetë i fundit, sepse ka ikur koha njëherë e përgjithmonë në Shqipëri, kur pushteti mund të merrej me forcë, mund të merrej me dhunë”.

Ministri i jashtëm Meta tha, se pavarësisht qëndrimit të opozitës, qeveria do ti shkojë deri në fund angazhimeve të saj, qe lidhen me integrimin e vendit ne BE. Meta akuzoi Ramën se po kërkon të transferojë në institucione krizën e tij personale.

Ilir Meta: “Partia Socialiste është në krizë, sepse nuk di se çfarë bën, sepse kërkon me ca ultimatume qesharake, të dijë sa sharlatanëve që populli shqiptar i ka lënë jashtë parlamentit dhe që të bojkotojnë një gjë kur ata nuk janë zgjedhur për të qenë pjesëmarrës, sepse ju e dini që shumica e deputetëve që janë zgjedhur dëshirojnë që të ushtrojnë këtë përgjegjësi në parlament, pra kjo është një krizë. Asnjë diskutim kriza tyre nuk do te kthehet në një krizë të vendit. Kryeministri e ka bërë të qartë, dëshirojnë të bëjnë protesta, absolutisht do t’ju krijohen të gjitha kushtet për të bërë protesta, sa herë të duan dhe kur të duan. Shqipëria është një vend demokratik, por absolutisht që nuk do të ketë tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe përpjekjeve të tij për të instrumentalizuar opozitën dhe për të përdorur alibi të ndryshme për të destabilizuar të gjithë sistemin kushtetues institucional dhe ligjor të vendit absolutisht”./tvklan.al

Gazetare: Menata Zaimi