Debati politik për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit duket se po shndërrohet në një garë, se cili prej drafteve të depozituar në Kuvend është më i miri. Gjatë seancës plenare Kryetari i Komisionit të politikës së jashtme Preç Zogaj, tha se projektligji i grupit parlamentar demokrat ndërmerr masa konkrete për veprimin kriminal të subjektit.

Preç Zogaj: “Projekti i juaj siç e dini mirë nuk i gjykon njerëzit për atë që kanë bërë, por për atë që u ka ndodhur. Unë ju ftoj pa komente të tepërta ta tërhiqni me nxitim këtë projekt luftënxitës, ta kujtoni si një lajthitje të rastit, ju ftoj të përqafoni parimet e ligjit të PD, që referon vetëm veprimtarinë kriminale të subjektit”.

Nga ana tjetër deputeti socialist Taulant Balla, kërkoi sqarime nga kryeparlamentarja Topalli lidhur me faktin, se përse u kërkua shqyrtimi i 3 drafteve për hapjen e dosjeve pikërisht në këtë periudhë kur nismat janë depozituar në parlament para gati 2 vitesh.

Taulant Balla: “Pas atij votimi që ndodhi në Kuvend ku u rrëzuan 5 propozimet e ardhur nga presidenti, ty të erdhi ndërmend që fshiheshin në sirtarët e kuvendit këto 3 projektligje”.

Por Topalli duke u kundërpërgjigjur Ballës ripërsëriti qëndrimin e saj lidhur me rëndësinë që ka miratimi i ligjit për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Jozefina Topalli: Ky Kuvend, duhet t’u mbylli gojën të gjithë atyre që shpifin pa shiko, ndoshta do të shikoni pak përpara brenda familjes së tyre me motrat, me vëllezërit, me nënat e tjerë, e tjerë dhe në këtë mënyrë të jemi korrekt me veten”.

Ndërsa kreu i PDK Nard Ndoka, që nga Lushnja ka mbrojtur draftin e grupit të tij parlamentar.

Nard Ndoka: “Nga 3 draftet ligjore për hapjen e dosjeve që ndodhen në  Kuvend, vetëm projektligji i hartuar nga PDK premton dhe siguron hapjen e drejtë dhe të vërtet të dosjeve. Spastrimin moral të politikës dhe vendimmarrës nga ata që bëjnë karrierën duke burgosur dhe spiunuar qytetarë të pafajshëm”.

Por sikur të mos mjaftonin 3 projektligjet që janë depozituar në Kuvend gati 2 vjet më parë, së fundmi edhe deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, ka depozituar një tjetër draft për hapjen e dosjeve, nisëm kjo ligjore personale e tij./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Klodian Keçi