Anija me mbetje të dyshuara, të rrezikshme është bërë objekt debatesh në parlament. Opozita akuzoi qeverinë se lejoi trafikimin e këtyre mbetjeve ndërsa Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, kërkoi të mos përhapej panik teksa hetimet janë duke u zhvilluar.

Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit: Në rastin konkret në asnjë në dokumentacionet nuk është folur për mbetje, por për mall. Ne themi do presim të mbarojë procesi i investigimit deri sa të dalim në konkluzione, çdo fjalë që ne themi në mënyrë abuzive janë fjalë që vijnë nga padija. I kemi dhënë të gjitha informacionet organit të hetuesisë.

Për këtë cështje reagoi dhe Ministri i Brendshëm Hoxha. I ktheu përgjigje opozitës duke deklaruar se urdhëri i prokurorisë për sekuestro do të zbatohet.

Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm: Urdhri i prokurorisë i rrethit gjyqësor Durrës ka dalë më 27 Tetor dhe ka qenë ditë e dielë. Jemi koordinuar plotësisht për zbatimin e këtij urdhri. Të siguroj se nuk jemi në periudhën kur urdhrat e prokurorisë nuk zbatohen. Kjo periudhë ka mbaruar, nuk është më aktualitet.

Minsitri i Brendshëm theksoi se po krijohet infrastruktura e nevojshme për vendosjen e kontenjerëve në një hapësire publike

Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm: Janë mbi 102 kontejnerë që kërkojnë infrastrukturë të posaçme. Nuk janë kuti kartoni që mund t’i fshehim e t’i fusim kudo kudo ku ju mendoni. Këto kontenjerë do të vendosen në hapësirë që monitorohen nga policia.

Anija turke, “Moliva” me 102 kontejnerë me mbetje u ankorua mëngjesin e së hënës në radën e portit të Durrësit. Ngarkesa dyshohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, e nisur nga Shqipëria në Korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën, e cila e refuzoi atë pas sinjalizimit nga organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” me qendër në Seattle të Shteteve të Bashkuara.

Në Durrës ishte edhe përfaqësuesi i kësaj organizate, Jim Puckett, i cili e cilësoi vendimin e Prokurorisë për sekuestro si një hap pozitiv, por kërkoi që mbetjet të ruhen mirë, duke lejuar marrjen e mostrave për analizë në tre laboratorë të ndryshëm.

Klan News