Projektligji i shumëpërfolur për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist mbërriti në parlament duke sjellë debate mes mazhorancës dhe opozitës që e kundërshton atë.

Kryeministri Berisha përreth një orë në fjalimin e tij kërkoi që parlamenti të votojë pro këtij projektligji të hartuar mbi bazën e modelit çek në një ditë siç e quajti ai, dita e pendesës.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të kryesocialistit Rama se me këtë ligj synohet të goditen institucionet e pavarura Berisha tha se kreu i Partisë Socialiste po e mban peng opozitën për shkak të lidhjeve familjare me nomenklaturën e asaj kohe.

Sali Berisha: “Keni shtruar tezën se ky ligj ka të bëjë me goditjen e shtyllës të ndonjë shtyllari tjetër. Ka të bëjë me dosjet që janë në hetim. Tani ore zotërinj ju jeni jashtëzakonisht fatkëqij. Juve ju mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare. Është i biri i një anëtari të komitetit qendror që të gjithë përkushtimin e tij maksimal total e kishte të lustronte Enver Hoxhën nëpër buste, nëpër statuja. Po, po dhe e merrte aty si zagar, si kone e merrte për të lustruar bustet. Kjo është mendja e tij. Se dini ju, e di unë. Të dalë ta mohojë po të dojë. Së dyti, është nipi i Kolekës. Ai ishte një intelektual kriminel që i çoi në litar me…me dhjetëra e dhjetëra inxhinierë të tjerë vetëm e vetëm se ishin shumë herë më të aftë se sa ai. Ky tani ju thotë ju Berisha e ka për dosjen, për shtyllën dhe shtyllarët, por jo. Mos u bëni naivë. Po shtylla dhe shtyllarët janë, dinë vetëm një gjë. Jo të bëjnë hetime, por të prishin hetimet. Ato ju morën në qafë ju, jo mua”.

Por opozita mbrojti edhe në seancë qëndrimin e saj kundër me argumentin se ky projektligj në thelb është antikushtetues.

Valentina Leskaj: “Doni të godisni prokurorinë për të mbyllur super skandalet korruptive si ajo e rrugës Rrëshen-Kalimash, skandalin Fazlliç, skandali i Gërdecit, ai i Remzi Hoxhës dhe një sërë skandalesh të tjera. Pavarësisht nga arsyet që ju shtyjnë ju për të sjellë sot në kuvend. Duke parë përmbajtjen e projektligjit ne kemi motive shumë të forta të refuzojmë që të bëhemi pjesë e kësaj farse. Kemi motive të forta pasi projekti juaj është antikushtetues”.

Sali Berisha: “Unë pranoj pa kushte, pranoj pa kushte të bëj të gjitha amendamentet që ju thoni se ne paskemi ndryshuar ligjin. Jo zonjë, ligji nuk është ndryshuar nga ato pikat që thua ti, është ndryshuar me datën dhe ca gjëra të tjera. Më thoni se e bëni para zgjedhjeve a mos kanë tre vjet. A jeni ju zonjë me deputetë, jo ju personalisht, po deputetët tuaj që më kanë treguar me gisht ministrat e mi agjentë të sigurimit të shtetit. Çfarë keni tani që po hapim dosjet? A po ju dalin të palarat e akuzave në shesh?”

Jozefina Topalli: “Ka ardhur koha që të ndërtojmë një identitet kombëtar mbi themele dhe institucione të pastra dhe të forta, pa hetues që i shërbejnë politikës së re aq sa i kanë shërbyer regjimit fondamentalist pa prokurorë që urdhërohen nga kryetari i ri si dje nga daja i tij, pa gjykatës, që bëjnë politikën sot siç kanë bërë gjyqet politike dje. Natyrisht jam e para që jam kundra hakmarrjes”.

Pas këtyre debateve socialistët braktisën sallën e kuvendit, ndonëse kryeministri i ftoi këta të fundit të sjellin amendamentet për këtë projektligj./tvklan.al