Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Vazhdon debati brenda Partisë Socialiste për çështjen Islami-Papadhima. Pas bërjes publike të kërkesës së disa deputetëve që Ministri i Financave paraqiti para grupit dhe të japë llogari për akuzat që janë hedhur ndaj kreut të doganave, deputetët nuk pranojnë të tregojnë se cili do të jetë fati i Ministrit të Financave.
Njëri prej autorëve të kërkesës Namik Dokle, nuk pranon të flasë për kamerat, ndërsa thotë, se qëndrimin e tij do ta bëjë publik në mbledhjen e së martës. Ndërsa deputetët Çukaj dhe Bufi tregojnë, se Ministri i Financave do të sqarojë akuzat e ngritura për Papadhimën, por nuk shohin arsye për të kërkuar dorëheqjen e tij.
Ylli Bufi:- “E rëndësishme është apo s’është i dënuar dhe rezulton që ai nuk është i dënuar. Tani, si janë rrethanat, do t’i dëgjojmë kur të vijë ministri në grup”.
Lekë Çukaj:- “Për çështjen e sensibilizuar të kësaj periudhe, për drejtorin e përgjithshëm të doganave. Nuk është çështje llogarie, po çështje sqarimi, grupi kërkon sqarimin, si qëndron e vërteta. Po pse e shikoni gjithmonë analizën ose llogarinë vetëm deri tek dorëheqja? Në rrugë e sipër ndreqen punët”.
Deputetë të tjerë të PS, këmbëngulin që në rast se akuzat ndaj Papadhimës, dalin të vërteta, duhet që të penalizohen shkaktarët e kësaj ngjarje, duke nënkuptuar se do t’i kërkohet llogari edhe kryeministrit Fatos Nano për emërimin e Papadhimës. Situata e tensionuar brenda partisë më të madhe qeverisëse, përkon me momentin e mbledhjes së drejtorëve të bordit të FMN-së, që do të vendosin për fatin me qeverinë shqiptare.
Deri tani marrëveshja me FMN u shty dy herë dhe ndër arsyet e mosfirmosjes është cenimi i integritetit të institucioneve, me emërimet e fundit në doganat shqiptare./tvklan.al