Debatet  mazhorancë -opozitë për hapjen ose jo të kutive të votimit i kthen përgjigje një vendim i Gjykatës Kushtetuese viti 2003. Gjykata asokohe u vu në lëvizje nga 32 deputetë të Kuvendit të cilët kërkuan interpretim në mënyrë përfundimtare të nenit 77 pika 2 të Kushtetutës. Në këtë nen thuhet se Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesën e ¼ të anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë Komision Hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat por mund t’i njoftohen prokurorisë e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.

Iniciativa e grupit të  deputetëve demokratë në atë kohë në opozitë nxitej nga 2 vendime të Kuvendit të vitit 2003, ku i pari pengonte ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar që do trajtonte veprimtarinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe ish-Ministrit të Kulturës Edi Rama dhe vendimi i dytë miratonte krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shqyrtimin e ligjshmërisë të përdorimit të fondeve nga bashkia në Tiranë prej vitit 1992 deri në vitin 2002.

Interpretimi që i bëri Gjykata Kushtetuese nenit 77, pika 2 të Kushtetutës në thelb kufizon objektin e Komisionit të Hetimit deri në atë shkallë sa nuk e cënon veprimtarinë e organeve të tjera kushtetuese. Ja si shprehej Gjykata ndër të tjera në këtë vendim që daton  14 Majin e vitit 2003.

Vendimi nr. 18, datë 14.05.2003

  1. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit, të cilat ngrihen për çështje të veçanta të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit.
  2. Ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, kur kërkohet nga një e katërta e deputetëve është e detyrueshme. Objekti dhe fusha e veprimeve të komisioneve hetimore duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare duke mos cënuar pavarësinë dhe duke mos penguar veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera.
  3. Parimet kushtetuese, veçanërisht parimi i ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, it ë drejtës për një proçes të rregullt ligjor, i prezumimit të pafajësisë,i paanshmërisë, i respektimit të jetës private të individit, përbëjnë standarte kushtetuese mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare.

Pikërisht në këtë vendim mbështet dhe logjikën ligjore mazhoranca, kur argumenton  se hapja  e kutive të votimit do t’i jepte komisionit hetimor një atribut antikushtetues, duke marrë në shqyrtim vendime për të cilat gjykatat janë shprehur me vendim të formës të prerë. Nën këtë linjë shkoi dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e cila në draftin përfundimtar të rezolutës për Shqipërinë shprehet për hetim të zgjedhjeve brenda kuadrit kushtetues./tvklan.al