Mes kaosit të krijuar nga opozita, deputetët socialistë votuan dekretet Presidentit Begaj për ministrat e rinj të kabinetit Rama dhe kryetaren e re të Parlamentit.
Elisa Spiropali zë vendin e Lindita Nikollës, e cila u dorëhoq për shkak të problemeve shëndetësore. Votimi për të sipas Kushtetutës u bë i fshehtë me elektronik në pamundësi për tu bërë me votimin në kuti.
Spiropali mori 75 vota pro. Por fjalimi i saj i parë u zhvillua në kaosin e zhurmës së tavolinave dhe hedhjes së ujit nga ana e deputetëve të opozitës.
Kryetarja e re e Kuvendit, veç falenderimeve, ftoi opozitën për bashkëpunim në sesionin e arshshëm.
Elisa Spiropali kryetare e Parlamentit: Kolegë të opozitës, ju që jeni mësuar të debatoni me mua në këtë sallë e përtej saj. Shpesh më ashpër se sa butë, dijeni se do iu shoh njësoj përballë, por nuk do të më keni përballë. Do të më gjeni vullnetmirë, në krahun tuaj të djathtë, po njësoj si shokët e kolegët e mi majtas do të më kenë në krahun e tyre të majtë, kudo qoftë e drejta që iu jep rregullorja dhe fryma e bashkëpunimit që do të jetë me ju.
Me votim të thjeshtë kaluan dekretet e Presidentit për ministrat e rinj.
Ervin Hoxha merr detyrën e ministrit të Brendshëm, duke zëvendësuar Taulant Ballën. Ky i fundit u zgjodh ministër shteti për Parlamentin.
Pirro Vengu u emërua ministër i Mbrojtjes. Ai zëvendësoi Niko Peleshin i cili u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të mazhorancës.
Ministria e Financave do të drejtohet nga Petrit Malaj, i cili pasoi në këtë detyrë Ervin Meten.
Por edhe kjo seancë e fundit u kthye në kaos nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votimin e ministrave të rinj.
Gazmend Bardhi kërkoi që në fillim të seancës mocion me debat, por kjo u kundërshtua nga Lindita Nikolla. Kreu i Grupit Parlamentar demokrat nuk kurseu as ofendimet ndaj saj për largimin nga posti i kryetares së kuvendit.
Pas debatit, zonja Nikolla përjashtoi kryetarin e Grupit Parlamentar të opozitës. Pas seancës deputete e opozitës akuzuan qeverinë dhe mazhorancën në Parlament.
Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar PD: Qoftë zonja Nikolla në të shkuarën dhe me bindjen e plotë zonja Spiropali në të ardhmen do të vijojë dhunimin e Kushtetutës, dhunimin e Rregullores së Kuvendit, për të mbrojtur interes personale, kriminale, korruptive të qeverisjes së Edi Ramës.
Agron Gjekmarkaj, deputet i PD: Një sallë ku qeveria vijon dhe ushtron atë arrogancën e vet, rregulloren nuk e kanë më rregullore praktikisht. Ai është një libër me vlerë në hapësirën e Parlamentit, Kushtetuta siç e keni parë, po ashtu është e pavlerë, çdo gjë është në vullnetin e kryeministrit dhe instrumenteve të tij që janë në sallë, të cilët më vjen keq, por nuk janë më as deputetë dhe, as ministra thjesht janë shërbëtorë të tij.
Klan News