Në studion e emisionit “Opinion” u diskutua rreth të riatdhesuarve dhe karantinimit të tyre pas kthimit në Shqipëri. Madje diskutimet u shoqëruan me një debat mes gazetarit Artan Hoxha dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas gazetarit, në disa raste, avionët e riatdhesimit kanë ardhur të mbushura plot kundër rregullave të vendosura. Ai pyeti ministren se pse nuk u merret tampon në aeroport që nëse dalin negativë ata të kthehen në shtëpi.
Ndërkohë ministrja tha se në rastet kur avionët janë kthyer plot kanë qenë misione shpëtimi. Ajo u distancua nga tamponimi i të riatdhesuarve sepse sipas Ballukut është detyrë e ekspertëve të mjekësisë për ta vendosur këtë.
Belinda Balluku: Sipas shqetësimit tënd ne duhet të marrim një avion privat për çdo person, t’i hipim tek e tek dhe t’i sjellim në Tiranë.
Artan Hoxha: Jo avion personal. Më dëgjove çfarë thashë? Thashë që avioni ishte i mbushur në të gjithë kapacitetin e tij. Unë them që në pamundësinë për të krijuar hapësirë a mund t’i kontrolloni njerëzit kur zbresin? Kaq e thjeshtë është.
Belinda Balluku: Ky është proces riatdhesimi dhe nesër vjen një avion nga Malta. Ne sjellim nesër dhe avion vjen plot. Të gjitha udhëtimet riatdhesuarve nga Amerika vijnë plot sepse janë udhëtime “rescue” shpëtimi dhe konsiderohen që të gjithë pacientë, për këtë arsye qëndrojnë në izolim.
Artan Hoxha: Çfarë ju pengon t’i kontrolloni në Rinas?
Belinda Balluku: Ata nuk kanë një historik dhe në aeroport konsiderohen pacientë. Nuk do debatoj me ty dhe ti bën gabim që i hyn këtij debati nëse duhet t’i marrim tampone apo jo? Unë nuk jam eksperte e shëndetësisë siç nuk je dhe ti.
Artan Hoxha: Unë po kërkoj të mbrojmë të riatdhesuarit dhe pjesën tjetër të popullatës.
Belinda Balluku: E mbrojmë përmes karantinimit.
Artan Hoxha: Pse mos t’i marrim një analizë, çfarë na pengon ne?
Belinda Balluku: Pse duhet ta marrim ne kur ka ekspertë që e vendosin.
Artan Hoxha: Më duket që i keni tamponët me kursim, me pikatore.
Belinda Balluku: Jo i dashur këtë ia kam lënë në dorë ekspertëve dhe unë kam në dorë riatdhesimin./tvklan.al