Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazmend Tahirllari është qëlluar me mjete të forta në fytyrë dhe kjo i ka sjellë shembje të trurit e për pasojë vdekjen. Sipas zëdhënësit të Ministrit të Drejtësisë Kristo Mërtiri, ka mbërritur në ministri konkluzioni përfundimtar i shërbimit qendror të ekspertimit mjeko-ligjor. Shkaku kryesor i vdekjes së shtetasit Tahirllari, rezulton konfuzion cerebral, shembje e trurit të natyrës traumatike.

Sipas ekspertizës, personi është qëlluar me mjete të forta, grushte e shkelma në fytyrë. Ekspertiza e realizuar në bazë të analizimit të gjakut dhe të indeve, vërteton se Tahirllari kanë qenë në momentin e goditjes në gjendje dehje alkolike të shkallës së mesme. Gazmend Tahirllari vdiq në datën 3 Janar në spitalin e Korçës, pasi ishte ndaluar nga policia në banesën e tij në fshatin Goskovë, nga grupi i gatshëm. 24 orë pas shoqërimit, Tahirllari mbeti pa jetë në spitalin e qytetit.

Megjithëse në momentin e parë pas vdekjes në kartelën mjekësore të tij u shënua vdekje si pasojë e sasisë së lartë të alkolit në gjak, familja deklaroi që në fillim se djali i tyre ishte keqtrajtuar nga policia, e si pasojë kishte ndërruar jetë. Me ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, prokuroria e Korçës kërkoi zbardhjen të rastit, duke bërë dhe zhvarrosjen e kufomës dhe ekspertizë për gjetjen e shkakut të vdekjes.

Konkluzionet janë firmosur tashmë nga komisioni i ngritur në shërbimin ligjor të ekspertimit mjeko-ligjor. Konkluzionet zyrtare hedhin poshtë variantin e parë të parashtruar nga mjekët e Korçës, se vdekja ishte shkaktuar nga sasia e lartë e alkolit. Në lidhje me ngjarjen janë nën akuzë për ushtrim torture dhe shpërdorim detyre 5 efektivë të grupit të gatshëm. Ndërsa kryeprokurori Theodhori Sollaku ka kërkuar ndjekje hetimore dhe për mjekët të cilët kanë mbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes të shtetasit të ndaluar./tvklan.al