Nuk ka ditë që mediat e huaja të mos shkruajnë për turizmin në Shqipëri, duke i bërë jehonë si një vend ideal për të kaluar pushimet e verës që janë pranë.
Këtë herë është edhe media australiane Delicious. Australia e vendos vendin tonë krahas destinacioneve më të mira për këtë vit nisur nga bukuritë e natyrës, me plazhet magjepsëse, malet e deri tek kostot shumë më të lira krahasuar me të tjera destinacione turistike në Europë.
Shqipëria është një vend me një histori të larmishme, pasi ka qenë pjesë e perandorive romake dhe osmane përpara se të binte nën kontrollin komunist dhe sundimin 40-vjeçar të Enver Hoxhës.
Secila prej kësaj periudhe ka lënë gjurmë në vend si në aspektin social ashtu edhe në atë arkitekturor. thuhet në shkrim. Qytete ku udhëtarët e huaj do të mund të gjejnë gjurmë historike janë ai i Gjirokastrës, qyteti i Beratit, Korçës dhe ai i Shkodrës.
Me një vijë bregdetare prej 476 kilometrash, Shqipëria ofron shumë vendpushime mahnitëse. Plazhi i Ksamilit është një nga më të njohurit, i cili shpesh është krahasuar me destinacionet më ekzotike në botë.
Bregdeti në veri të Sarandës është i mbushur me plazhe të vogla, të izoluara si Lukova dhe Buneci, ku restorantet ofrojnë ushqime tradicionale dhe peshkun e detit Jon. Vlora dhe Durrësi, janë gjithashtu plazhe të njohura turistike që media australiane i sugjeron.
Deti në Shqipëri është i pastër, por turistët duhet të kenë parasysh se shumë plazhe në jug janë me gurë dhe jo me rërë.
Media thotë se vendi ynë nuk mund të jetë destinacion vetëm veror, por për ata që duan më shumë qetësi, mund ta vizitojne edhe jashtë pikut të sezonit.
Klan News