Lajme Arkiva 2003
Tre prej deputetëve demokrat të Tiranës kanë zgjedhur një mënyrë origjinale për të akuzuar edhe njëherë kryetarin e bashkisë së Tiranës Edi Rama. Deputetët Paloka, Memia dhe Minaroli janë takuar me gazetarët në sheshin “Italia”, prapa ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Tiranës, ku po ndërtohet një lokal.
Sipas deputetëve demokrat leja e ndërtimit i është dhënë pronarit të këtij lokali në mënyrë të paligjshme nga kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama.
Edi Paloka: Më pastër se kaq nuk mund të duket korrupsioni i Edvin Ramës, i cili ka dhënë një shesh ndërtimi në mes të sheshit “Italia”, ku dihet që ligji i urbanistikës edhe në rast kur toka i kthehet pronarit nga komisioni i kthimit të pronave, nuk lejon që të ndërtohet në sheshe publike, në sheshe lulishtes apo ambiente të tjera publike siç është edhe sheshi “Italia”
Vili Minarolli: Ky rasti i sheshit “Italia” është një rast që vërtet flet qartë për oreksin e tepruar të firmave të ndërtimit që ka pas Edi Rama, pjesëtarë i të cilës edhe ai është dhe duhet të jetë një kambanë për të gjithë qytetarët e Tiranës për ti prerë rrugën kësaj masakre urbanistike që po bën Edi Rama.
Shaban Memia: Ne jemi të vendosur që të bëhemi barrierë e pakapërcyeshme për ta mposhtur këtë mafia shtetërore, për të kthyer edhe njëherë shtetin ligjor, për të bërë të mundur që të ruhen vlerat dhe të zhvillohen ato të cilat i përkasin dhe aspirojnë shqiptarët.
Leja e ndërtimit për këtë lokal është dhënë para disa kohësh nga Këshilli i Rregullim Territorit për kryeqytetin ku drejtuesit e pushtetit lokal theksojnë se kryebashkiaku i Tiranës ka vetëm një votë./tvklan.al