Pas dëmtimit të frikshëm të sulmuesit shqiptar, Rey Manaj, i cili humbi ndjenjat në fushë pas një përplasje kokë më kokë me kundërshtarin, me të njëjtën situatë është përballur edhe vëllai i Joao Felix.
Hugo Felix, i cili është pjesë e Benfica B në Portugali, ngjalli ankth dhe panik, në përballjen ndaj Portimonense, ndeshje e mbyllur në barazim pa gola.
Mesfushori kishte një përplasje kokë më kokë në minutën e 55-të dhe si pasojë humbi ndjenjat në fushë. Ndërhyrja e mjekëve ishte e menjëhershme, ndërsa u transportua me urgjencë në spital, aty ku gjendja e tij është e stabilizuar.
Dy raste të ngjashme të ndodhura brenda pak ditëve, fillimisht me Manajn dhe tani me Hugo Felix. Megjithatë për fatin e tyre të mirë, të dy lojtarët i kanë kaluar problemet dhe pritet të rikthehen në fushë. /tvklan.al