Drejtësia shqiptare po tregn edhe një herë se sa i paemancipuar është mentaliteti shqiptar përballë krimit në familje dhe vrasjeve patriarkale. Gj. M. C., i cili vrau për çështje morali vajzën e tij, është dënuar me vetëm 11 vite heqje lirie e për shkak të pranimit të krimit automatikisht atij i mbeten vetëm 7 vite burg për të kryer. Sipas grupit për të Drejtat e Njeriut, dënimi në këtë masë është një model negativ për shoqërinë.
Elsa Ballauri: “Ka një mungesë vëmendjeje ndaj krimeve në familje dhe sidomos ndaj pozicionit të femrës, që në këtë rast, kryesisht rastet e fundit kanë qenë viktima vetëm vajza të reja. Kemi të bëjmë me një dallim kulture, me një kulturë tradicioni disi primitiv, mendoj, i cili, për fat të keq nuk po riparohet. Gjyqësori është pjesë e gjithë mentalitetit dhe gjyqësori është pjesë e mentalitetit të vjetër si të thuash, që raporte të tilla tepër të shtrembra në familje mund të ekzistojnë dhe janë të mirëpritura, por nga ana tjetër gjyqësori është edhe pjesë e mentalitetit të ri, të korrupsionit dhe për fat të keq korruptohet shumë kollaj që edhe një çështje shumë e rëndësishme e cila, siç thashë, do të krijojë një model të gabuar më vonë e trajtojnë si një çështje të zakonshme.”
Vrasja e vajzës së familjes M. C., ardhur nga Lekbibaj e Tropojës, tronditi opinionin shqiptar në muajin shkurt e kjo për shkak se dhe anëtarë të tjerë të familjes u shprehën se vrasja e kryer vuri në vend nderin e fisit. /tvklan.al