Një ditë pas peticionit të dhjetë deputetëve grevistë dërguar krerëve më të lartë të shtetit, prezencës së OSBE-së, ambasadës së Bashkimit Evropian dhe asaj të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti, ka ftuar kreun e selisë rozë, Edi Rama, të reflektojë në lidhje me kërkesat e tyre.
Dritan Prifti: “Zgjidhja është në dorë kryesisht të dy personave, të cilët komandojnë votat në kuvend, në dorë të Sali Berishës, por ai është përpjekur ta heqë nga vetja e vet zgjidhjen dhe të thotë këtë e ka në dorë Edi Rama. Tani gjithë Shqipëria dhe deputetët brenda i kanë sytë nga Edi Rama. Ai duhet të reflektojë të zgjerojmë transparencën në procesin zgjedhor, të zgjerojmë demokracinë dhe t’i japim shqiptarëve zgjedhje të lira. Edi Rama duhet të reagojë urgjent.”
Dy alternativat e ofruara nga LSI-ja të hedhura për negocim mundësojnë që komisionet në përbërjen e tyre të jenë në të gjitha nivelet me përbërje teknike, si dhe gjithëpërfshirjen në nivel parlamentar.
Në ditën e shtatë të grevës gjendja e deputetëve të ngujuar në sallën e parlamentit vijon të jetë sërish e rënduar, ku komplikacione serioze shfaqin deputetët Braho dhe ai Gjini.
Ky i fundit tashmë ka ndërprerë ujin si dhe refuzon ndihmën mjekësore, ndërsa deputeti tjetër grevist Ymer Tola pas ekzaminimeve që iu bënë mbrëmë në spital si pasojë e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore i është bashkuar sërish grevës së urisë./tvklan.al