Jo të gjithë deputetët demokratë janë të vendosur të votojnë kundër kandidaturës të Robert Çekut për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qëndrimi për të rrëzuar dekretet e Presidentit është marrë në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike dy ditë më parë, por, përpara këtij vendimi, deputetët janë vënë në vështirësi për shkak të miqësive personale që kanë me republikanin Çeku.
Pal Dajçi: “Votimi do të jetë kolektiv, d.m.th. i opozitës. Nuk ka ndonjë vendim të veçantë për shembull, as nga mendimet brenda opozitës të atij koalicioni që ne kemi që të ketë kundërshti nga ai vendim që është marrë për këto dekrete të Presidentit. Po unë mendoj që ata demokratë apo republikanë që kanë një mandat të votuar në zgjedhjet e shkuara, nuk mendoj që do t’i dalin kundër ose do të kenë moral që t’i dalin kundër vendimit që kanë marrë drejtuesit e forcave politike.”
Gazetarja: “Ju vetë si do të votoni për kandidaturën e zotit Çeku?”
Sali Shehu: “Unë e kam mik zotin Çeku, e respektoj. Është një ndër miqtë e mi, por polemika ka pasur në opinion publik lidhur me kandidaturën e tij si kryetari i Kontrollit të Shtetit.”
Gazetarja: “Meqenëse e keni mik, nuk mund të votoni pro për të?”
Sali Shehu: “Unë, meqenëse e kam mik, mund ta ftoj mbas votimit për kafe, ndërsa votimi është çështje tjetër.”
Grupi pralamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet sërish përpara seancës parlamentare për të përcaktuar përfundimisht votën që duhet të japin ligjvënësit demokratë. /tvklan.al