Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Deputetë të komisionit të rendit i kanë kërkuar ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë që brenda 24 orëve të bëjnë ndryshime në projektligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, i njohur si ligji kundër parave të mafias. Sipas dy ekspertëve ligjorë dhe për të drejtat e njeriut të thirrur në këtë komision, ligji cenon të drejtën e pronës dhe prezumon të drejtën e pafajësisë.
Ndërsa deputetë të komisionit të rendit, kanë shkuar edhe më tej, duke hedhur dyshime, se ky projektligj është ndërtuar në mënyrë që të përdoret për qëllime politike dhe për përfitime në fushën e konkurrencës.
Ligji është mbrojtur nga zv/ministri i Drejtësisë Sanxhaku dhe këshilltari i ministrit Islami. Megjithëse pasuritë që do të sekuestrohen cilësohen si pasuri të krimit të organizuar dhe mafies, për to do të vendosin gjykatat civile të rretheve. Ndërsa deputetët e komisionit kanë kërkuar që sekuestrimet të jenë objekt i Gjykatës së Krimeve të Rënda./tvklan.al
Gazetare: Aranita Brahaj