Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama bëri me dije se deputetët me më shumë se 1 mandat do të garojnë në lista të hapura për zgjedhjet e 2025-ës.
Po a ka pasur “përplasje” brenda PS lidhur me këtë ndryshim në Kodin Zgjedhor?
Kreu i grupit të socialistëve Niko Peleshi deklaroi sot se “deputetët do ta meritojnë rikandidimin përmes punës.” Ai mohoi të ketë pasur kontestime mes të majtëve.
“Vijmë pas një Asambleje të PS, u dhanë mesazhe detyra, sfida, kemi ndryshime në Kodin Zgjedhor që duhet reflektuar në detyra. Sistemi është i barabartë për të gjithë. Mënyra si interpretohet është i ndryshëm. Natyrisht ka një garë e cila është e shëndetshme. Gara kryesore është me ata që kemi përballë dhe pastaj çdo kandidat për deputet do që të jetë sa më lart në listë. Herën e kaluar ishte një sistem i ngjashëm, drejtuesit politikë nuk ishin të parët e listës. Ishte një garë e brendshme për maksimizimin e votës. Platforma e re “Deputeti që duam” është një mundësi për ata që kanë potencial brenda vetes dhe që mbase rruga brenda partisë u duket e vështirë. Kemi hapur një korsi të re përmes platformës për dikë që ka të gjitha aftësitë për të përfaqësuar një komunitet”, deklaroi Peleshi.
I pyetur se a ekziston mundësia për rihapje të Kodit Zgjedhor, siç ka kërkuar PD, ai tha: Na duhet të dëgjojmë më mirë dhe konkretisht zotin Bardhi apo përfaqësuesit e tjerë të opozitës. Është thjesht një tezë politike për të vendosur në pozitë të vështirë mazhorancën, apo ka diçka racionale. Ne nuk hezitojmë të ulemi në këtë rast.
Duket se PS nuk po humbet kohë për të kryer çdo përgatitje të mundshme para garës elektorale. Pas Asamblesë, Kryesisë e mbledhjes së grupit, të Premten pritet një takim informal në Elbasan.
E.D/tvklan.al