Derbi Tirana – Partizani është kryefjala e javës së 15-të në Superligën shqiptare. Sfida mes dy skuadrave të kryeqytetit do të luhet të dielën e 1 dhjetorit, në stadiumin “Arena Kombëtare” në ora 19:00 dhe do të jetë sfida përmbyllëse e kësaj jave. Të kuqtë janë në krye të renditjes, me 27 pikë, me 7 fitore, 6 barazime dhe 1 humbje.

Ndërkaq, bardheblutë gjenden në mesin e renditjes i shtati me 15 pikë. Në raundin e parë, derbi i kryeqytetit përfundoi në barazim pa gola. Një “armë” shtesë për klubin e Tiranës do të jenë edhe tifozët, të rikthyer nga Komisioni i Disiplinës në provë për të mos shkaktuar problematika në tribunat e stadiumeve.

Java e 15-të do të hapet me ndeshjen Bylis- Vllaznia, që do të luhet në stadiumin e Ballshit më 29 nëntor në ora 13:30. Të shtunën do të zhvillohen tre sfidat e tjera të javës. Laçi – Skënderbeu dhe Egnatia – Elbasani do të luhen në ora 13:30, ndërsa në 16:30, Dinamo City do të përballet me durrsakët e Teutës.

Klan News