Egnatia mposhti 2-0 Vllazninë, në supersfidën e javës së 22-të në Superligë. Triumf i rëndësishëm për rrogozhinasit, që marrin kryesimin e renditjes.
Pritej një ndeshje shumë e luftuar dhe ashtu rezultoi, ndërsa nuk munguan as polemikat. Lushkja zhbllokoi rezultatin në minutën e 18-të me anë të penalltisë.
Shkodranët kërkuan 11 metërsh në minutën e 38-të, për një ndërhyrje ndaj Malës në zonë, por arbitri lejoi vazhdimin e lojës.
Protesta kishte edhe për rastin e minutës së 79-të, ku arbitri fillimisht akordoi penallti për ndërhyrje të Dajsinanit ndaj Mensah, por e anuloi pas rishikimit të pamjeve në VAR.
Në fund ishte Zejnullai, i cili realizoi një supergol nga jashtë zone, për të vulosur shifrat në 2-0.
Me këtë triumf, Egnatia merr kryesimin me 39 pikë, ndërsa Vllaznia me dy pikë më pak mban vendin e katërt.
Zhgënjeu Elbasani që u mposht në shtëpi nga Laçi, me rezultatin 2-1. Kurbinasit iu falën golave të Mjakit dhe Tresës, ndërsa goli i Lilës për verdheblutë në fund, kishte vetëm vlerë statistikore.
Kjo fitore e ngjit Laçin në vendin e shtatë me 23 pikë, ndërsa Elbasani mbetet i pesti me 28 pikë.
/tvklan.al