Trajneri i Francës Didier Deschamps refuzoi që të fliste për të ardhmen e tij në kombëtare, pas eliminimit zhgënjyes në gjysmëfinalen e Euro 2024. Francezi ka kontratë deri në 2026, por ishte pa përgjigje kur u pyet nëse do t’i udhëhiqte “Gjelat” në botërorin e radhës.
“Sapo humba një gjysmëfinale! Pyesni presidentin tim, ndoshta nuk duhet të ma bënit mua këtë pyetje!”
Tekniuku ndal edhe te paraqitja e “Les Blues” kundër “La Roja”.
“Spanja ishte superiore kundrejt nesh. Është skuadra që ka lënë përshtypjen më të mirë në këtë turne! Ne zhbllokuam rezultatin, por rivalët dominuan lojën më mirë se sa ne. nuk luajtëm shumë mirë! Kemi shumë lojtarë të rinj në ekip, që do të na ndihmojnë në ta ardhmen.”
Ndërsa kapiteni Kylian Mbappe e pranoi se “Gjelat” mund të kishin luajtur më mirë.
“Ne nuk u treguam të aftë mjaftueshëm, e ata zhvilluan një paraqitje të mirë. Ata shkojnë në finale, ndërsa ne eliminohemi. Ky është futboll! Për mua është e vështirë, është dështim! Kisha ambicien që të shpallesha kampion Europe. Por ky është futbolli. Tani do pushoj!”
Edhe sulmuesi Antua Grizhman tha pas takimit se ky eliminim e kishte zhgënjyer shumë dhe ëndrra e tyre për të luajtur në finale u shua.
Klan News